Shkrumbohen nga flakët dy banesa në Gjirokastër

Nga Rigels Malile
21 Mars 2025, 17:07 | Kronikë


Dy banesa janë shkrumbuar nga zjarri mesditën e së premtes në Gjirokastër.

Brenda një harku të shkurtër kohor, dy banesat në lagjen "Granicë" dhe lagjen "18 Shtatori" u përfshinë nga flakët, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve shmangu përhapjen e tyre.

Sipas Drejtorisë së MZSH Gjirokastër, njoftimi është marrë rreth orës 15:30 dhe menjëherë drejt vendngjarjeve janë nisur 9 efektivë me dy automjete zjarrfikëse, një automjet mbështetës dhe mjeti special Iveko Bot.

Në lagjen "Granicë", zjarri kishte përfshirë një ambient të jashtëm të një banese, i përdorur për ruajtjen e pajisjeve të vjetra shtëpiake. Falë ndërhyrjes së shpejtë, flakët u shuan pa shkaktuar dëme.

Më serioze ishte situata në lagjen "18 Shtatori", ku zjarri përfshiu katin e dytë të një pallati, i shkaktuar nga një defekt në kondicioner. Flakët dhe tymi u përhapën drejt katit të tretë, por ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të tij, duke parandaluar rrezikun për banesat e tjera. 

Si masë sigurie, furnizimi me energji elektrike në lagjen "18 Shtatori" u ndërpre përkohësisht. Hetimet për shkaqet e plota të zjarreve vijojnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos