Pasi u transportua me urgjencë nga paraburgimi 313 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është shtruar në reanimacionin e kardiologjisë.
Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bënë me dije se pas ekzaminimeve të kryera në urgjencë, stafi mjekësor ka vlerësuar shtrimin e Dumanit për të vijuar analiza më të hollësishme të të gjithë parametrave të tij shëndetësorë.
Të njëjtat burime saktësuan se gjendja shëndetësore e të paraburgosurit është e stabilizuar, por se qëndrim i tij në spital do të vijojë deri në përfundim të protokollit të përcaktuar për kontrollet shëndetësore.
Përveç shkaqeve të tjera, stafi mjekësor ka vlerësuar edhe mundësinë e një helmimi përmes ushqimit e për këtë shkak, kampione të gjakut të tij do t’i nënshtrohen edhe analizave toksikologjike.
I penduari i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë” të SPAK është akomoduar në një prej dhomave të reanimacionit, ku ruhet nën masa të forta sigurie nga efektivë të Policisë së Burgjeve, të mbështetur edhe nga efektivë të RENEA dhe zyrës për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Nuredin Dumani shfaqi probleme shëndetësore në paraburgimin 313 pasditen e së shtunës. Sipas burimeve pranë institucionit ai pësoi një takikardi dhe një gjende të fikëti dhe për këtë u shoqërua me urgjencë në QSUT për ndihmë të specializuar mjekësore.
Për disa javë me radhë Dumani ka dhënë shpjegime në Gjykatën e Posaçme në procesin “Plumbi i artë”, ndërsa deklarime të tij kanë dhënë ndihmë të vyer për SPAK edhe në hetimin e disa dosjeve të tjera penale. (A2 Televizion)