Zhdukje apo vrasje? ADN-ja do të përcaktojë nëse trupi i pajetë në Spanjë është i Miklovan Dakajt

Nga Xhensila Kodra
2 Shtator 2025, 16:57 | Kronikë

Trupi i pajetë i gjetur në brigjet e Marbellës në Spanjë, e që dyshohet se i përket Miklovan Dakajt, i zhdukur që prej muajit maj, do t’i nënshtrohet analizave krahasimore të ADN-së të familjarëve, për të vërtetuar edhe shkencërisht, nëse është apo jo i tij.

Autoritetet spanjolle kanë marrë kampionë gjenetikë të vëllait dhe vajzës së 30-vjeçarit me origjinë nga Shkodra dhe pritet që ekspertiza të zbulojë përgjigjen e analizave në ADN-së.

Kjo pasi deri më tani, familjarëve të të riut, si në Spanjë ashtu edhe në Shkodër nuk i është komunikuar zyrtarisht se trupi i gjetur i pajetë të jetë i Miklovan Dakajt.

Hetimet për zhdukjen e tij nisën pas denoncimit të të shoqes që deklaronte në policinë spanjolle se kishte humbur kontaktet me të shoqin, si dhe njëherazi një mesazh i dërguar në telegram ku e lajmëronte se nuk duhet ta kërkonte më Miklovanin pasi ishte vrarë dhe hedhur në det. Po ashtu, denoncim për zhdukjen e tij u bë edhe nga familjarët në Shkodër.

Menjëherë pas denoncimit, hetuesit spanjollë u vunë në lëvizje dhe sipas burimeve mësohet se nga pamjet e kamerave të sigurisë atje është zbuluar se personi i fundit që Miklovan Dakaj kishte takuar ishte Juxhin Drazhi. Ky i fundit i arrestuar një muaj më parë në Spanjë, jo në lidhje me zhdukjen e Dakajt, por për llogari të SPAK-ut, i dyshuar për trafik kokaine, pjesë e grupit të Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”.

Tashmë, Drazhi që është në pritje për t’u ekstraduar në vendin tonë do të merret në pyetje edhe për zhdukjen e 30-vjeçarit Miklovan Dakaj. Por deri më tani nuk ka prova konkrete që e lidhin atë me zhdukjen e të riut.

Dakaj është hetuar nga policia spanjolle si person i lidhur me grupe kriminale të trafikut të drogës, ndërsa dyshohet se përdorte edhe identitete të tjera për t’iu fshehur policisë. Përfshirja e tij në trafik është edhe pista kryesore që po hetohet lidhur me zhdukjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos