Policia italiane ka goditur një rast trafiku droge, duke sekuestruar mbi 15.7 kg kokainë dhe 12 kg marijuanë, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 600 mijë eurosh në tregun e zi. Në pranga për rastin ka rënë një 33-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen e tyre.
Operacioni u krye nga Guardia di Finanza, pas një hetimi të thelluar dhe vëzhgimesh të kryera në kuadër të kontrollit të vazhdueshëm të territorit. Policia kishte identifikuar një lëvizje të pazakontë të personave me precedentë penalë në zonat e njohura për trafik droge në rajonet e Toskanës dhe Lombardisë.
Gjatë operacionit, agjentët ndaluan një automjet në një fshat të izoluar në zonën e Lodi-t, konkretisht në Caselle Lurani, ku 33-vjeçari shqiptar u kap në flagrancë. Ai nuk arriti të justifikonte praninë e tij në vendin ku u ndalua, çka shtyu policinë të kryente kontrolle më të thelluara.
Gjatë bastisjes së ambientit ku banonte, u zbulua një magazinë e mirëfilltë për ruajtjen dhe përgatitjen e drogës, ku u gjetën: 15,793 kg kokainë, e ndarë në 20 pako dhe 12 kg marijuanë.
Po ashtu policia zbuloi pajisje për përpunimin dhe paketimin e drogës, si makinë vakumi për ambalazhimin, peshore, qese, çanta shpine dhe mjete për ndarjen e dozave.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse shqiptari i arrestuar është pjesë e një rrjeti më të madh trafikantësh. (A2 Televizion)