Shtyhet për në 10 tetor seanca paraprake për Erion Veliajn

Nga A2 CNN
29 Shtator 2025, 13:13 | Kronikë

Shtyhet për në 10 tetor seanca paraprake për Erion Veliajn

Është shtyrë seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ish-kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, që ishte parashikuar të zhvillohej mesditën e sotme.

Seanca ku togat e zeza do të vendosin për kalimin apo jo për gjykim të dosjes është vendosur të zhvillohet më datë 10 tetor.

SPAK kaloi dosjen për gjykim më 10 shtator dosjen në të cilën renditen 13 akuza për Erion Veliajn dhe 12 për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Akuzat për Veliajn janë ngritur për veprat penale korrupsioni pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe falsifikim të pasurisë.

"Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e përmendura më sipër, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të”, thuhet në dosjen e SPAK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos