Vrasja e biznesmenit italian në Shqipëri, të afërmit e Sarchit: Dyshohet për grindje me djemtë e ortakut

Nga Xhevahir Qardaku
29 Shtator 2025, 11:21 | Kronikë

Detaje të reja vijojnë që të dalin në dritë lidhur me vrasjen e biznesmenit Italian, Edoardo Sarchi, në Shqipëri. Tashmë kanë nisur që të flasin familjarët e 44-vjeçarit që operonte prej 20 vitesh në vendin tonë.

“Ka ndodhur diçka më dy fëmijët e ortakut të tij, ndoshta një zënkë. Por vetëm hetimet mund të sqarojnë gjithçka. Nuk arrijmë që të kuptojmë pse Edoardo u vra, presim motivet e këtij krimi të tmerrshëm”, ka thënë për median La Repubblica, Riccardo Barbieri, i afërm i italiani që u vra me një plumb pistolete në kokë në fshatin Salari të Tepelenës.

Kur pyetet për informacionet që marrin nga Shqipëria, kushëriri i Sarchit thekson se asgjë e qartë nuk ka dalë deri më tani, ndërsa sot mbahet dhe funerali i tij. “Është një dhimbje e tmerrshme, Edoardo ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ishte një njeri i mirë”, shton i afërmi. Ai thekson se herën e fundit ishin takuar para 3 vitesh për funeralin e babait të Edoardos.

I afërmi tregon se e motra e biznesmenit Italian nuk do të jetë e pranishme në Shqipëri për funeralin e 44-vjeçarit, shkruan A2 CNN.

“Atje do të jenë kushërinjt me të cilët ka nisur të punojë 20 vite më parë”, nënvizon Barbieri duke kërkuar që autoritetet shqiptare ta zbardhin ngjarjen deri në fund. Trupi i pajetë i italianit u gjet rreth orës 12:30 të premten në mbrëmje, në fshatin Salari të Tepelenës, ku 44-vjeçari shkonte shpesh për gjueti. Raportohet se Sarchi është goditur nga një plumb i vetëm në kokë.

Sipas raportimeve fillestare, Sarchi ishte në Tepelenë për gjueti me ortakun dhe djemtë e tij. Ortaku u tha hetuesve se dikush i doli përpara automjetit të tij dhe i qëlloi. Ai shpjegoi se u përpoq t'i jepte ndihmën e parë viktimës duke nxjerrë trupin nga makina dhe më pas njoftoi policinë. Mediat shkruajnë se ambasada italiane është angazhuar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare për zbardhjen e rastit dhe po qëndron në kontakt me familjarët e Sarchit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos