Dosja “Partizani”, regjistrimi i seancës nga mediat përplas Malltezin me togat e zeza

Nga Igli Çelmeta
29 Shtator 2025, 11:34 | Kronikë

Dosja “Partizani”, regjistrimi i seancës nga mediat

Në gjyqin për dosjen “Partizani” mediat kishin shfaqur interes për ta regjistruar të plotë seancën, ku kishte shprehur dakordësi edhe Jamarbër Malltezi.

Gjykata vendosi që të mos e pranojë këtë kërkesë duke dhënë miratim vetëm për regjistrim të planeve të nisjes së seancës. Por Malltezi e kundërshtoi këtë duke theksuar që kërkesa e tij ishte për transparencë të plotë të procesit dhe jo për show.

Kam bërë kërkesë që të regjistrohet e gjithë seanca, për të patur një proces sa më transparent dhe të dëgjohen qëndrimet e të gjitha palëve. Por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë duke vendosur që mund të lejohet vetëm regjistrimi i fillimit të seancës. Unë nuk mund ta lejoj këtë që të regjistrohen pamje sa për show. Po të jepej e gjitha do të kuptohej që gjykata dhe prokuroria janë bërë ‘leqe-peqe’”, tha Malltezi.

Prej orës 11:00 ka nisur në GJKKO seanca e radhës gjyqësore për kryedemokratin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurit e tjerë për aferën “Partizani”.

Në seancën e kaluar, ekipi ligjor i Berishës dhe Malltezit kërkoi pavlefshmëri absolute të hetimeve, të akteve të marrjes si të pandehur, njoftimit të akuzës, akteve të ekspertimit si dhe të çdo prove të paraqitur nga SPAK.

Berisha nuk ishte i pranishëm në seancë gjyqësore, por u paraqit në ambientet e SPAK-ut në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Nga aty lideri i opozitës sulmoi prokurorinë dhe drejtuesin e saj, Altin Dumani e akuzoi si puçist që fle mbi dosjet e krimit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos