Shumë referime e pak dënime për zjarret, juristi: Ligji është i barabartë me vrasjen, por mungojnë provat

Nga A2 CNN
15 Gusht 2025, 15:15 | Kronikë

Ndërsa vendi përballet me një rritje alarmante të zjarreve në zonat pyjore dhe jo vetëm, shifrat zyrtare tregojnë një kontrast të fortë mes numrit të lartë të referimeve ndaj zjarrvënësve dhe rasteve të pakta kur ata përballen realisht me ligjin dhe drejtësinë. Gjatë viteve të fundit, nga policia në prokurori janë referuar dhjetëra raste të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, por shumë pak prej tyre kanë përfunduar me dënime konkrete.

Juristi Jordan Daci e lidh këtë me vështirësinë e hetimit në terren, ku mungojnë dëshmitarët dhe provat materiale për t’u dorëzuar në gjykatë. Sipas tij, një zgjidhje afatgjatë do të ishte ndërtimi i një sistemi monitorimi kombëtar që do të mundësonte identifikimin në kohë reale të autorëve.

“Fakti që personat nuk janë dënuar do të thotë që nuk është vërtetuar fajësia. Të vërtetuarit e fajësisë, sidomos në ambiente të mëdha, të hapura apo larg qendrave të banuara, siç janë zonat pyjore apo kullotat, është shumë e vështirë sepse atje nuk ka mënyrë për ta vërtetuar përveçse nëpërmjet rrethanave të ndryshme. Ajo që mund të bëhet është që, nëpërmjet një sistemi monitorimi kombëtar, përfshi edhe kamerave termike, mundet të rritet pesha goditëse e dënimit. Por kryesorja është parandalimi nëpërmjet edukimit, një, dhe elementëve të tjerë, dy”, tha Jordan Daci, jurist.

Në kuadër të retorikës së qeverisë për forcimin e dënimeve ndaj zjarrvënësve, Daci argumenton se Kodi Penal parashikon tashmë dënime të rënda për këto vepra, të cilat janë të barazuara me vrasjen, shkruan A2 CNN.

“Praktikisht ne kemi tre vepra penale që mbulojnë pjesën e zjarreve. Një është shkatërrimi i pronës, i cili në rrethana të rënduara shkon deri në 15 vjet burgim. Kemi shkatërrimin e pyjeve me dashje, që shkon deri në 20 vjet burgim, dhe nga pakujdesia, që shkon përsëri deri në 20 vjet burgim. Pratikisht, këto vepra janë të barazuara me vrasje. Në kuadër të retorikës që, me të drejtë, ka ngritur kryeministri këto ditë për nevojën e ashpërsimit, ne mendojmë që ligji është mjaftueshëm i ashpërsuar. Mund të fusim ndoshta ndonjë vepër të re që lidhet me elementë që nuk parashikohen shprehimisht nga pikëpamja e veprimeve dhe mosveprimeve, por në masën e dënimit ato barazohen me vrasje, sepse vrasja me dashje është 10 deri në 20, dhe ne kemi 15 apo edhe 20 vjet burgim për zjarrvënie”, tha juristi.

Aktualisht, strukturat e rendit dhe emergjencave civile janë në gatishmëri të shtuar për shkak të temperaturave të larta dhe erërave që përhapin flakët me shpejtësi në shumë qarqe të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos