
Autoritetet kanë shpallur evakuim të menjëhershëm për banorët e Bashkisë Fier, konkretisht në Njësinë Administrative Ferras, për shkak të situatës së rënduar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore të emergjencave, ndërsa procesi i evakuimit do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut përkatës dhe strukturat e emergjencave civile në bashki, shkruan A2 CNN.
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë Fier është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin administrativ. Autoritetet bëjnë thirrje që çdo komunikim dhe kërkesë për ndihmë të drejtohet pranë strukturave publike në terren.
Në procesin e evakuimit, prioritet do të kenë:
fëmijët,
të moshuarit,
personat me aftësi të kufizuara,
familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), si dhe Forcat e Armatosura.
Sa i përket strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar, ai do të menaxhohet nga Bashkia Fier, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës. Do të kryhet regjistrimi i të evakuuarve, sigurimi i ushqimit, veshmbathjes dhe ndihmës mjekësore, si dhe ofrimi i informacionit periodik për zhvillimet e situatës. (A2 Televizion)