Policia zbulon një tjetër ambient me kanabis në Shkodër

Nga A2 CNN
8 Janar 2026, 11:19 | Kronikë

Policia zbulon një tjetër ambient me kanabis në Shkodër

Një tjetër ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me llamba është zbuluar në Shkodër, duke çuar në finalizimin e operacionit policor të koduar “Neonët 6”.

Me këtë rast, shkon në 10 numri i rasteve të goditura në kuadër të operacionit të gjerë “Neonët”, që synon goditjen e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.

Sipas policisë, janë shpallur në kërkim dy shtetas, njëri prej tyre 35 vjeç, banues në Shkodër, si dhe një 16-vjeçar, të dy të dyshuar se kishin përshtatur një banesë në lagjen “Ndoc Mazi” për kultivimin e bimëve narkotike, duke përdorur pajisje elektrike të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë.

Në vijim të hetimeve, janë proceduar penalisht dy punonjës të OSHEE-së, të moshës 33 dhe 63 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa një 22-vjeçare nga Puka është proceduar për “Moskallëzim krimi”.

Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur për kultivim dhe tharje kanabisi, policia sekuestroi:

60 bimë të dyshuara narkotike kanabis,
57 pajisje të ndryshme elektrike,
4 celularë.
Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e një 49-vjeçari, ngjitur me ambientin e kultivimit dhe i ndaluar më herët për vepra të tjera penale, u sekuestruan një pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe një automjet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos