
Finalizohet operacioni i koduar “Insistimi”, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Një 28-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se përndiqte dhe kanoste një 37-vjeçare në rrjete sociale, duke i shkaktuar ankth dhe panik, përmes disa llogarive false në platforma të ndryshme online.
Sipas policisë, arrestimi u bë pas administrimit të shpejtë të kallëzimit të viktimës, nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë. Në kuadër të operacionit, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit L. K., 28 vjeç, banues në fshatin Halilaj, Fushë Krujë, shkruan A2 CNN.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi dy celularë, në të cilët u konstatuan llogari false aktive në “Instagram” dhe “TikTok”, të përdorura nga i arrestuari për të përndjekur dhe kërcënuar 37-vjeçaren.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)