Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar goditi një organizatë të fortë kriminale shqiptare që ndikonte në tregun e kokainës në Evropë. Si rezultat i këtij operacioni, që godet sërish Çopjat e Elbasanit, janë lëshuar 16 masa sigurie dhe sekuestruar rreth 17 tonë kokainë, dhjetra pasuri në godina, troje dhe shuma të mëdha parash.
Zyrtarisht, SPAK njoftoi se hetimet, të cilat përfshijnë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC, shkruan A2.
Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumë-tonëshe kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anvers etj. Sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Vladimir Mara kjo organizatë kishte aftësinë e ndikimit direkt në çmimin e kokainës në Europë, por jo vetëm kaq: “Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe për të menaxhuar sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohore. Fuqia financiare e lartë e kësaj organizate, strukturimi dhe organizimi i një niveli shumë të lartë si dhe aftësia për të rikuperuar humbjet që vinin nga sekuestrimet e dallojnë atë nga grupet e tjera kriminale të hetuara nga SPAK”.
Në Shqipëri operacioni u zhvillua në Tiranë, Elbasan, Lushnjë e në Durrës. 14 prej urdhërarresteve janë masa arrest në burg dhe dy të tjera detyrim paraqitje. Agjentët e policisë dhe BKH-së arrestuan 7 prej tyre, pjesa tjetër vijon të jetë në kërkim. Mësohet se 4 prej tyre u është komunikuar masa në qeli pasi ndodheshin të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Njëri prej emrave është Ervis Çela, i arrestuar një muaj më parë me akuzën e vrasjes, ndërsa si kreu i organizatës kriminale dyshohet Franc Çopja, i cili ndodhet i arrestuar në Belgjikë.
Grupi kriminal i drejtuar prej tij akuzohet se në shtator të 2020, në bashkëpunim me një shtetas brazilian, organizoi trafikimin e 11.6 ton kokainë, fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”. Ngarkesa u nis nga porti i Villeta në Paraguaj dhe mbërriti në Anvers më 4 nëntor 2020. Në atë kohë u sekuestruan 600 kg kokainë dhe 2 milionë euro, dy shqiptarë u arrestuan.
Ndërsa nga muaji dhjetor 2020 deri në shkurt të 2021 u organizua trafikimi i 16.4 tonë kokainë. Hetimet zbuluan se paratë e përfituara nga trafiku i kokainës silleshin nga vendet e BE në Shqipëri nëpërmjet linjave të autobusëve të udhëtarëve dhe shoferët që merrnin përsipër transportin e tyre paguheshin rreth 2% tarifë mbi shumën e transportuar. (A2 Televizion)