Për të parën herë nga krijimi i tij, SPAK, ka goditur një pasuri financiare kriminale jashtë territorit shqiptar e për më tepër në një vend të Bashkimit Europian.
Gati 4 milionë euro pasuri të luajtshme e të paluajtshme janë vënë në sekuestro në Verona Itali, pasi dyshohet se i përkiste organizatës kriminale të drejtuar nga Suel Çela, aktualisht në kërkim nga SPAK.
Për këtë rast Struktura e Posaçme bashkëpunoi me Prokurorinë e Veronas, pas dyshimeve se pasuritë e tundshme e të patundshme në fjalë ishin krijuar nga trafiku i sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.
Në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Veronas, në vendin fqinj, u sekuestruan dy ndërtesa në këtë qytet, nga të cilat me vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi, zyra e dyqane, një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave e dyqaneve, rreth 400 mijë euro në vit dhe një shoqëri tregtare në fushën e ndërtimit me kuota 100% në Itali.
Vëmendjen e hetuesve e ka tërhequr një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash përmes sistemit bankar. Ka rezultuar se paratë vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i kalonte të ardhura tek një shoqëri tregtare ne Shqipëri, në pronësi të dy vëllezërve shqiptarë.
Këto shuma investoheshin në Itali në ndërtim, në rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat, më pas jepeshin me qira.
Njëri prej dy vëllezërve është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në një burg në Belgjikë. Ai dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.
Sipas hetimit të përbashkët shqiptaro-italian, përdorimi i milionave eurove që kalonin nga Shqipëria në ekonominë italiane, përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave, të kryera nga jashtë vendit përmes një shoqërie tregtare në Shqipëri, në pronësi të organizatës kriminale.
Hetimi ka treguar se në Shqipëri janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave.
Burime zyrtare konfirmuan se në Verona janë sekuestruar edhe pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike.
Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale. (A2 Televizion)