Operacionet e fundit të SPAK-ut, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për goditjen e trafikut të drogës dhe organizatave të rrezikshme kriminale, kanë gjetur jehonë jo vetëm në Bashkimin Europian.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën administratën Trump, ndërsa janë distancuar në komentimin e çështjeve të drejtësisë apo të zgjedhjeve në vendet e tjera, kanë deklaruar mbështetje të pakursyer ndaj SPAK-ut kundrejt çmontimit të organizatave të krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, që njëkohësisht cenojnë edhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, shkruan A2 CNN.
“Znj. VanHorn vlerësoi bashkëpunimin e SPAK-ut në luftën e Shteteve të Bashkuara kundër krimit ndërkombëtar, trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm, dhe falënderoi Z. Dumani për guximin dhe angazhimin e SPAK-ut në shkatërrimin e rrjeteve kriminale që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e pak javëve më parë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. (A2 Televizion)