Vrasjet mes adoleshentëve, Malaj: Shoqëria indiferente, mësuesit kanë barrë të rëndë

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2025, 22:05 | Kronikë

Vrasjet mes adoleshentëve, Malaj: Shoqëria indiferente, mësuesit

Ekspertja e arsimit Nora Malaj, e ftuar në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçe, ngriti alarmin për përmasat shqetësuese të dhunës mes adoleshentëve, duke e cilësuar situatën si një problem madhor që prek shoqërinë, familjen dhe shtetin, si dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë e jetës. Ajo shprehu keqardhje që ky fenomen vazhdon të rikthehet në debat publik vetëm pas ngjarjeve të rënda, pa një reflektim të thellë dhe afatgjatë.

Sipas Malajt, në pesë vitet e fundit janë regjistruar të paktën 10 raste humbjeje jete mes adoleshentëve, ndërsa rreth 1426 të rinj janë përfshirë në ciklin e dhunës, brenda dhe jashtë ambienteve shkollore. Ajo theksoi se raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar probleme serioze me funksionimin e oficerëve të sigurisë në shkolla, të cilët ekzistojnë “de jure”, por jo realisht në terren.

Ekspertja vuri theksin edhe te përhapja masive e bullizmit, i cili sipas saj është kthyer në pjesë të përditshmërisë, duke prekur të gjitha moshat. Një nga shqetësimet më të mëdha, sipas Malajt, është indiferenca shoqërore, ku reagimi vjen vetëm në momentin e ngjarjes, për t’u shuar më pas shumë shpejt, shkruan A2 CNN.

Ajo ngriti pyetje thelbësore mbi rolin e familjes, prindërimit dhe shkollës, duke theksuar se institucionet arsimore nuk duhet të jenë vetëm qendra të formimit akademik, por edhe të edukimit qytetar dhe moral. Malaj shtroi nevojën për përfshirjen e aktorëve të tjerë, përfshirë median, e cila sipas saj duhet të rishikojë mënyrën se si transmeton dhunën dhe kriminalitetin.

Ekspertja bëri thirrje që figura me integritet dhe kontribute në edukim e shoqëri të mblidhen së bashku, jo vetëm për të diskutuar, por për të ndërtuar një qasje të re dhe të qëndrueshme për të frenuar dhunën dhe për të orientuar brezat e rinj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos