Para se të prangosej mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, Ergys Agasi ka qenë për të paktën dy javë në radarët e Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut.
Burime pranë SPAK-ut bënë me dije se, për shkak të një automjeti të gjetur në një nga pronat e Agasit, të sekuestruara më herët, autoritetet kishin mundur të lokalizonin dhe të ngushtonin gjeografikisht zonën në të cilën dyshohet se qëndronte gjatë arratisë i kërkuari për dosjen “AKSHI”.
Gjatë kësaj periudhe, ai është vëzhguar nga policia me metoda speciale, në sekret të plotë, edhe pas dyshimeve se mund të kishte kontakte me persona të tjerë në kërkim nga drejtësia.
Pasditen e së mërkurës, Agasi është pikasur në Elbasan, në bordin e një automjeti që më tej ka udhëtuar drejt Durrësit. Ndërsa prokurorët e SPAK-ut kanë koordinuar operacionin e arrestimit, agjentët e Operacionales dhe të BKH-së e kanë mbajtur në vëzhgim në distancë deri në zonën e Plepave, ku edhe u arrestua së bashku me Ulian Shpatarakun, ish-funksionar i Policisë, i përjashtuar nga radhët e uniformave blu.
Paraditen e së enjtes, pasi kaloi natën në qelitë e Bllokut të Sigurisë në kryeqytet, Agasi pati takimin e parë me avokatin e tij, Maksim Haxhia, i cili ndau edhe qëndrimin e klientit mbi akuzat. (A2 Televizion)