
Policia e Korçës ka shoqëruar disa persona në lidhje me vrasjen e një 78-vjeçari në fshatin Bulgarec, pak kilometra larg qytetit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se autori mund të ketë pasur njohje me viktimën, çka mund të ketë bërë të mundur hyrjen në banesë me pëlqimin e tij. Pas kryerjes së krimit, i dyshuari dyshohet se është larguar duke mbyllur me çelës derën e jashtme të banesës.
Kjo ka shtyrë policinë të marrë në pyetje persona që kishin njohje të afërt me të moshuarin, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas marrjes së njoftimit, një familjar ka hyrë në banesë nga dritarja për të hapur derën nga brenda për efektivët e policisë.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se viktima është gjetur me dy dëmtime në kokë, të cilat dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen, ndërkohë që hetimet vijojnë. (A2 Televizion)