Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përmes një njoftimi për media ka sqaruar ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit në IEPV e Fierit, ku i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset.
Në njoftim bëhet me dije se tentativa e arratisjes u regjistrua rreth orës 03:48, me Selmanajn që ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore.
“Është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij”, informon Drejtoria e Burgjeve.
Po ashtu sqarohet se gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Rezulton gjithashtu se Bledar Selmanaj ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.
“Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim.
Sakaq, burime zyrtare nga DPB për A2 CNN thanë se Selmanaj pasi mbështolli duart me peshqir dhe çarçafë, goditi murin e qelisë në katin e parë, duke hapur një të çarë në të. Pas kësaj ai ka dalë në oborrin e burgut dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet tubave të kullimit.
Aty sipas burimeve konfidenciale nga burgu i Fierit, për A2 CNN Selmanaj kishte një litar me të cilin do të zbriste duke vazhduar arratisjen. Por stafi i sigurisë së burgut ka arritur ta kapë duke e dërguar qeli, këtë herë jo në qeli të zakonshme por në izolim.
Prej marsit 2024, Selmanaj qëndronte në IEVP Fier. Ai akuzohet për vrasjen e shokut të tij Xhuljan Bullarit, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Vlorës. I paraburgosuri është në pritje të dënimit teksa organi i akuzës ka kërkuar dënim të përjetshëm për të. (A2 Televizion)