
Një ngjarje e rëndë, që për pak mund të përfundonte në tragjedi, është regjistruar në një lokal në Elbasan.
Një person, ende i paidentifikuar nga policia, dyshohet se ka ndjekur dhe është përpjekur të qëllojë me armë drejt Mir Bitocit.
Sipas të dhënave paraprake, gjithçka ka ndodhur pasi Bitoci ka dalë nga një lokal ku kishte qenë i shoqëruar. Personi i armatosur e ka ndjekur nga pas dhe, në një moment, i ka drejtuar armën në kokë. Por, reagimi i menjëhershëm i Bitocit ka bërë që autori të mos realizojë qëllimin dhe atentati të mbetet në tentativë.
Pas ngjarjes, grupi hetimor ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e personit të armatosur, ndërsa ende nuk është e qartë se cili ka qenë motivi i kësaj tentative, shkruan A2.
Hetuesit po verifikojnë nëse bëhet fjalë për një konflikt të çastit apo nëse ngjarja ka qenë e organizuar dhe e planifikuar më herët.
Mir Bitoci jeton jashtë Shqipërisë dhe, sipas të dhënave, kthehet në Elbasan gjatë periudhës së verës. (A2 Televizion)