Tentativa e një 42-vjeçari nga Durrësi për të futur në Shqipëri, verë e shampanjë pa i deklaruar në doganë, ka dështuar pasi është ndalur në portin e qytetit bregdetar.
Policia bën me dije se ka vënë në pranga 42-vjeçarin dhe ka sekuestruar kamionin që ai drejtonte, së bashku me mallrat.
“Në vijim të kontrolleve intensive në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, në bazë të analizës së riskut dhe kundër paligjshmërive në kufi, u krye kontroll në hyrje të Shqipërisë, në kamionin që drejtonte shtetasi Sh. G., 42 vjeç, banues në Durrës. Nga kontrolli në automjet u konstatuan arka me verë dhe shampanjë, të dyshuara të kontrabanduara me qëllim shitjen në Shqipëri, sepse nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje. Shtetasi Sh. G. synonte t’i fuste mallrat në Shqipëri, pa i deklaruar në PKK, konform ligjit”, njofton policia. (A2 Televizion)