Përplasja fizike për një rrugë të zaptuar, mes pronarit të një hoteli dhe kryeplakut të fshatit Tushemisht, në Pogradec, ka çuar në arrestimin e biznesmenit Jetmir Muçollari.
Ky i fundit është vënë në pranga nga policia e Pogradecit pas konfliktit që degjeneroi në dhunë, të ndodhur një ditë më parë në zonën turistike të Drilonit.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec ndaluan shtetasin J. M., 52 vjeç, pasi nga verifikimi i bërë nga IMT-ja dhe Komisariati i Policisë Pogradec, rezultoi se në Volorekë ky shtetas ka kryer punime ndërtimi pa leje", njofton policia.
Muçollari, pronar i hotel “Voloreka”, është konfliktuar fizikisht me kryeplakun Ilirjan Tasellari dhe një banor tjetër të zonës, të identifikuar si Prokop Pilinçi, për një sipërfaqe rruge që pretendonte se ishte pronë e tij.
Pas ndërhyrjes së Policisë dhe nisjes së hetimeve, rezultoi se në këtë sipërfaqe, Muçollari kishte kryer ndërtime pa leje, pavarësisht se toka ndodhet brenda një zone të mbrojtur.
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Pogradec kishte pezulluar punimet një javë më parë, por punimet kishin vijuar në kundërshtim me vendimin. Si pasojë, ndaj Muçollarit rëndojnë tashmë dy akuza penale: “Shpërdorim i tokës” dhe “Ndërtim i paligjshëm për qëllime përfitimi”.
Çështja i është referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërkohë që policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)