Një sherr masiv ka ndodhur natën e shkuar në një diskotekë në Palasë, ku janë përfshirë dy persona.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia referoi materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për të dy shtetasit, shkruan A2 CNN.
Po ashtu Policia bën të ditur se të dy shtetasit e përfshirë në konflikt nuk kanë pësuar dëmtime trupore dhe nuk kanë depozituar kallëzim penal ndaj njëri-tjetrit.
Njoftimi i Policisë:
Dhërmi, Himarë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit F. P., 34 vjeç, rezident në Itali, dhe Xh. S., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal, pasi:
Në vijim të veprimeve hetimore lidhur me një konflikt të ndodhur në një lokal nate, në Palasë, më datë 19.07.2025, rreth orës 02:45, nga verifikimet rezultoi se për motive të dobëta, këta dy shtetas janë konfliktuar dhe kanë hedhur në drejtim të njëri-tjetrit gota dhe shishe qelqi, duke shkaktuar tension në ambient, largim të klientëve të tjerë si dhe dëme materiale në lokal.
Të dy shtetasit e përfshirë në konflikt nuk kanë pësuar dëmtime trupore dhe nuk kanë depozituar kallëzim penal ndaj njëri-tjetrit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)