Tentoi të trafikonte armë zjarri, arrestohet një person në Rinas

Nga A2 CNN
17 Qershor 2025, 09:51 | Kronikë

Tentoi të trafikonte armë zjarri, arrestohet një person në

Një person është arrestuar nga Policia Kufitare në Rinas pasi tentoi të trafikonte armë zjarri nga Shqipëria në Gjermani.

Blutë kan sekuestruar një pistoletë me municion luftarak në cilësinë e provës materiale, shkruan A2.

Bëhet me dije se shtetasi akuzohet për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara për shkak të fluksit në hyrje/dalje, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit”, në kuadër të të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në Gjermani.

Gjatë këtij operacioni u kap në flagrancë në dalje të Shqipërisë dhe u vu në pranga shtetasi shqiptar me nënshtetësi kanadeze A. Q., banues në Kanada.

Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos