Vrasja e kryekomisarit Artan Çukut, dënohen me burgim të përjetshëm Bledar Jambelli e Kristaq Leci

Nga Armand Bajrami
16 Qershor 2025, 19:46 | Kronikë

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për dënimin me burgim të përjetshëm të Bledar Jambellit dhe Kristaq Lecit, të akuzuar si porositës të ekzekutimit të kryekomisarit Artan Cuku.

Vendimi ndaj Jambellit e Lecit, të gjykuar në mungesë, u shpall nga gjyqtari i kryeqytetit, Gerd Hoxha, që i gjeti të pandehurit fajtorë për “vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas prokurorisë, vrasja e kryekomisarit në hyrjen e pallatit të tij në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë, në prill 2017, ka si motiv hakmarrjen, shkruan A2 CNN.

Kjo për faktin se në vitet 2000, Bledar Jambelli është arrestuar nga Policia e Vlorës, atëkohë e drejtuar nga Artan Cuku, si i dyshuar për një vrasje të dyfishtë, por më pas, gjatë procesit gjyqësor mori pafajësi dhe u lirua nga arresti. Prokuroria e kryeqytetit pretendon se për këtë shkak, në vitin 2017, i pandehuri Jambelli, në shenjë hakmarrjeje përgatiti vrasjen e ish-Drejtorit Policisë Vlorë.

Ai dyshohet të ketë lidhur marrëveshje me Kristaq Lecin. Ata pajtuan Mikel Shallarin për të kryer vrasjen, në këmbim të një pagese prej 20 mijë euro, që do ta merrte më pas në Gjermani. I pandehuri Lecika pajisur Shallarin me 2 armë të llojit pistoletë, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke e mbajtur nën vëzhgim.

Mikel Shallari u identifikua pas ngjarjes, nga një gjurmë ADN-je në një bluzë të hedhur pas ngjarjes. Pas arrestimit Shallari bashkëpunoi me drejtësinë, duke treguar porositësit, si edhe përfituar një marrëveshje për një dënim me 10 vite burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos