Zhvillimet të reja kanë ndodhur për ngjarjen në azil, ku 78 vjeçari Zyhdi Shehi vrau me bastun shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho.
Policia ka vënë në pranga Nazime Mullën dhe Glesantina Saraçin, infermiere dhe kryeinfermiere në azilin ku u vra i moshuari, pasi dyshohet se kanë tentuar të mbulojnë këtë krim.
Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Infermieret kanë thënë para uniformave blu se nuk e kanë kuptuar që Zyhdi Shehi kishte vrarë Virxhil Veshon, por sipas tyre, kanë menduar se ky i fundit është rrëzuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në një azil pleqsh në Tiranë, teksa të dy të moshuarit vuanin nga demenca dhe parkinsoni. (A2 Televizion)