
Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një 47-vjeçar, i cili theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe dëmtoi portën e një banese në fshatin Thanë, me automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Thanë, një shtetas kishte dëmtuar me automjet, portën e një banese, kanë kryer menjëherë veprimet hetimore për identifikimin e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi O. L., 47 vjeç, banues në fshatin Thanë.
Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, portën e banesës së shtetases S. H., 66 vjeçe, në fshatin Thanë”, njofton policia.
Nga verifikimet rezultoi se 47-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
(A2 Televizion)