
Policia e Tiranës ka arrestuar një ditë më parë shtetasen Alma Bime 43 vjeçe, e cila mban postin e drejtoreshës së Politikave të Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut në Ministrinë e Brendshme. Bime është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të djegë makinën e ish-bashkëjetuesit të saj.
Kujtojmë që Bime u ndalua më datë 30 dhjetor nga Policia pasi dyshohet se kanosi përmes mesazheve një shtetas të huaj, identifikuar me inicialet M. M. Bime dyshohet gjithashtu se në një rast tjetër ka djegur orendi shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori, e cila ndodhet pranë rrugës “Hysen Gjura” në zonën e Kinostudios. Bime i dogji krevatin në banesë ish-bashkëjetuesit të saj, Marenglen Tomorrit, shkruan A2 CNN.
Pas këtij ndalimi, gjykata caktoi masën “arrest shtëpie” për Bimen. Masën të cilën e ka thyer, madje ka shkuar të djegë edhe makinën e ish-bashkëjetuesit.
Historia e përplasjeve vijon prej shtatorit 2025, kur Policia e Tiranës arrestoi Mareglen Tomorin, drejtor i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (IPO), nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij, Alma Bime. Pas kallëzimit të bërë nga kjo e fundit, ndaj Tomorit ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje nga gjykata.
Edhe pse Alma Bime është arrestuar dy here në 10 ditët e fundit, Ministria e Brendshme vijon ta mbajë në punë. (A2 Televizion)