Në orët e mbrëmjes së të martës, në një lokal të zonës, ka mbetur i vrarë me thikë 32-vjeçari Besmir Kumria. Autori i kësaj ngjarjeje është identifikuar nga policia si 25-vjeçari Xhesion Toromani.
Nga të dhënat paraprake hetimore, si dhe nga dëshmitarët në vendngjarje, mësohet se i ndjeri Kumria ishte ulur në lokal së bashku me disa persona të tjerë, kur në vendngjarje ka mbërritur me një automjet 25-vjeçari Toromani. Ky i fundit është afruar te tavolina e viktimës dhe e ka goditur disa herë me thikë, shkruan A2 CNN.
Pas krimit, autori është larguar me automjetin e tij në tentativë për t’i shpëtuar ndjekjes policore. Megjithatë, pas verifikimeve paraprake dhe dëshmive të banorëve të zonës, ai është ndaluar nga efektivët e policisë së Fierit.
Grupi hetimor i ngritur për këtë rast ka konkluduar se mes familjes së viktimës dhe asaj të autorit ka pasur konflikte të mëparshme lidhur me një kanal vaditës në zonë, çka dyshohet të ketë qenë motivi i ngjarjes së rëndë që i mori jetën 32-vjeçarit.
Mësohet se Kumria punonte në Himarë dhe ishte kthyer në banesë për të përcjellë bashkëshorten e tij, e cila do të nisej drejt Gjermanisë, ku kishte gjetur punë si infermiere. Policia e Lushnjës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes. (A2 Televizion)