Një sasi lënde plasëse i është vendosur një lokali në "Rrugën e Durrësit", në kryeqytet.
Sipas policisë, nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Pronari i lokalit, Arbër Sinani, ka deklaruar në polici se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që i kanë vendosur sasinë e tritolit në lokalin e tij.
Sipas tij, ai nuk ka konflikte me persona të tjerë. Në Shqipëri ai nuk figuron me precedent penal, shkruan A2.
Sinani prej disa kohësh ka jetuar në Gjermani, ku dyshohet se mund të ketë qenë i përfshirë në paligjshmëri dhe përplasjet me persona të tjerë për drogën, mund të jetë motivi për vendosjen e eksplozivit.
Dy kamera që ka lokali, nuk kanë DVR çka e bën të vështirë punën për hetuesit për identifikimin e aktorëve të dyshuar. Ndërkohë janë sekuestruar kamerat e bizneseve të tjera për t'i ndihmuar grupin hetimor.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse të lokalit.
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)