“Patjetër që do e lirojmë. Ka thënë Ajatollahu, që do ta lirojmë”. Batuta e avokatit të Ilir Metës me Ajatollah, para seancës ndaj tij në Apelin e Posaçme, mbeti vetëm një batutë.
Apeli i Posaçëm refuzoi kërkesën për liri të ish-presidentit të Republikës, duke lënë në fuqi vendimin për vazhdimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Në Apel Meta tentoi t’i shpëtojë qelisë, duke kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë të 26 qershorit, që nuk zbuti masën në të cilën qëndron prej tetorit të vitit të shkuar.
Ish-presidenti nën akuzë nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, nuk ishte i pranishëm në seancën e së enjtes. Përmes avokatit të tij, Kujtim Cakrani, ai kërkoi liri, duke pretenduar se nuk ishte i rrezikshëm shoqërisht, se nuk rrezikonte të dëmtojë prova dhe as t’i fshihet drejtësisë.
Pretendimet u kundërshtuan nga përfaqësuesit e SPAK, e në përfundim, gjyqtarja Igerta Hysi vlerësoi si të drejtë qëndrimin e prokurorëve.
“Organi i procedurës i gjendur përpara të gjithë pyetjeve që kam bërë, përse, me jepni shpjegim, pse presidenti duhet të qëndrojë në paraburgim. As të dy prokurorët që kishin ardhur sot aty, nuk dhanë asnjë shpjegim. I thashë, gjyqtare nuk ka ardhur, pasi nuk ka më besim tek gjykata në këtë Republikë dhe padyshim, që kjo i dha të drejtë presidentit. Gjykata nuk u ngrit dot në lartësinë e duhur, që të merrte një vendim ndryshe nga ai i shkallës së parë”, u shpreh avokat Cakrani.
Reagimin e tij publik të radhës pas vendimit, ish-presidenti Ilir Meta e niste me “asnjë zhgënjim nga telenovela ‘Drejtësi me regji’”. Sipas tij, Charles McGonigal, Edi Rama e Altin Dumani regjistruan në vitin 2019 çështjen CEZ DIA për shantazhimin e tij.
“Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova. Nuk janë unë që intimidoj dëshmitarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshmitarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS”, theksonte Meta.
Në vendimin e lënë në fuqi nga Apeli, Shkalla e Parë arsyetonte se gjetjet e hetimeve të SPAK kanë forcuar dyshimin e arsyeshëm kundër Metës. (A2 Televizion)