"Tokë pa Zot"- Bushkolaj zbulon qytetin në Shqipëri ku Policia nuk ndërhyn dot: U gjet arsenal armësh

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2025, 22:31 | Kronikë

“Në Shqipëri kemi shumë zona që janë tokë pa zot. Afër Rinasit kemi një zonë që është tokë pa zot dhe u desh vrasja e fundit që aty të zbulohej një arsenal armësh”.

Kështu u shpreh gazetari Elkier Bushkolaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Sa herë shkon Policia e Shtetit aty, zbulohet prapë një arsenal armësh. Çfarë ndodh? Ia hoqën Durrësit, e ka pasur Drejtoria e Policisë së Durrësit dhe ia sollën Tiranës. Ishte një lëvizje shumë e mirë. Por, problemi është që nuk prodhoi efektivitet. Ndodhi vrasja e Gentian Betës, ndodhi vrasja e Rinasit, ndodhën një seri ngjarjesh kriminale që tregoi që nuk kishte lidhje me Policinë e Durrësit, por kishte lidhje dhe me paaftësinë e Tiranës, që në fund ditës po flasim për strukturën që ka elementët më të mirë në Policinë e Shtetit dhe sërish situata atje është tokë pa zot”, tha Bushkolaj.

Në lidhje me venden e trajnimit të grupeve kriminale, gazetari shpjegoi: “Shumë prej grupeve kriminale kanë bazat e veta. Për shembull, në qytetet e mëdha janë zona të caktuara. Kirasi ka një grup kriminal që operon në atë zonë. Një grup kriminal tjetër operon në tjetër lagje të Shkodrës. Tirana ka zonat e veta specifike. Një grup kriminal për shembull operon në Fresk, një tjetër grup kriminal mund të operojë në Yzberisht apo në Astir”.

Sipas Bushkolajt, “problemi është që këtu ka çeduar shumë edhe komunikimi ndërinstitucional”.

“Se ne flasim vetëm për Policinë e Shtetit. Po për Shërbimin Informativ pse nuk thotë askush asnjë fjalë? Ku është Shërbimi Informativ në gjithë këtë histori dhe në gjithë këtë panoramë që ne kemi me krimin? Është shumë e rëndë panorama. Por, ka një problem. Se ne flasim për fuqinë financiare të krimit të organizuar dhe këtu nuk është vetëm puna e institucioneve ligjzbatuese. A ju kujtohet se çfarë tha Altin Dumani në të vetmen intervistë publike? Ishte i qartë: tatimet, doganat dhe instancat e tjera shtetërore nuk bëjnë asnjë raportim për çështjen e pastrimit të parave. Por, çështja e pastrimit të parave, ne na lidhet me atë fuqinë ekonomike të grupeve kriminale që atyre u mundësojnë që të kryejnë vrasje kudo, qoftë në burg, qoftë brenda gjykatës, qoftë në aeroport, ndoshta nesër dhe në Kryeministri apo pranë godinave të ministrive. Askush nuk ka më imunitet në këtë histori. Ne duhet t'i përmendim edhe jetët e pafajshme, edhe atë Mimoza Pajën, edhe Pal Kolën, edhe ato Flutura dhe Bashkim Bashën atje në Shkodër dhe këtë vajzën Meri Koçeri që mbeti e plagosur nga atentati dhe dy persona të pafajshëm fare në Tepelenë që mbetën të vrarë në atentatin në Memaliaj ku ishte objektiv një pjesëtar i familjes Kalemi. Pra, janë shumë hallka që do duhet të koordinohen në këtë luftë kundër krimit dhe nuk mund ta bëjë këtë punë vetëm Policia e Shtetit dhe gjithë barrën t'ia lënë Policisë së Shtetit. Kryeministri Rama kur prezantoi zonjën Koçiu si ministre të Brendshme ishte i qartë. I vendosi detyra. Ti nuk ke punë tha me Policinë e Shtetit, prioritet për ty është adresa”, tha Bushkolaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos