Trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal, Apeli lë në fuqi vendimin për 13 të pandehur, dënohet Kudret Rustemaj

Nga A2 CNN
22 Korrik 2025, 17:02 | Kronikë

Trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal, Apeli lë në

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për të pandehurit e grupit të strukturuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për të pandehurit; Sulo Pajo, Arian Tola, Fadjon Cami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Besnik Ruçi, Pirro Çapi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Sonila Sula, Artur Sulaj dhe Kudret Rustemaj.

Ndaj këtij të fundit (Kudret Rustemajt) u ndryshua vendimi, duke e deklaruar fajtor për “Trafikim të narkotikëve” dhe “pjesëmarrje grup të strukturuar kriminal”. Ai u dënua përfundimisht me 8 vite burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Të gjitha shpenzimet gjyqësore në të dyja shkallët e gjykimit u ngarkohen të pandehurve. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga njoftimi.

NJOFTIMI I GJYKATËS SË POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare),  më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 31 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ankimet e paraqitura nga të pandehurit S.P., A.T., F.C., V.L., A.A., Sh.P., J.Ç., B.R., P.Ç., J.M., E.K., S.S. dhe A.S., ndaj vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1.            Lënien në fuqi të vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit S.P., A.T., F.C., V.L., A.A., Sh.P., J.Ç., B.R., P.Ç., J.M., E.K., S.S., A.S.

2.            Ndryshimin e vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin K.R., në këtë mënyrë:

-              Deklarimin fajtor të të pandehurit K.R. për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal (për episodin nr.4), e parashikuar nga nenet 283/a/1 –22- 28/4 të Kodit Penal, dhe në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

-              Deklarimin fajtor të të pandehurit K.R. për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

-              Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit K.R. me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

-              Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri K.R. me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet burgim.

-              Vuajtja e dënimit për të pandehurin K.R. do të fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, duke u përllogaritur dhe kohëzgjatja e paraburgimit, dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

3.            Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel, i ngarkohen solidarisht të pandehurve.

4.            Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të tij.

U shpall në Tiranë, më datë 22.07.2025

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos