Tre në pranga, mes tyre vëllai i “Xubit”, goditet grupi që shiste armë në zonën e Tufinës dhe Freskut

Nga Igli Çelmeta
21 Janar 2026, 16:48 | Kronikë

Pas tre muajsh hetime, Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Anëtarët”, duke goditur një grup kriminal që merrej me shitjen e armëve të zjarrit në kryeqytet.

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar tre pjesëtarë të grupit, të gjithë me precedentë penalë. Dy prej tyre, Artur Brahimaj dhe Ilir Zyberi, u kapën në flagrancë në zonën e Tufinës, teksa tentonin të shisnin dy armë zjarri kallashnikov. Ndërkohë, është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe një tjetër shtetas, i dyshuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithsej 5 armë zjarri dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonat e Tufinës dhe Freskut. Hetimet tregojnë se grupi vepronte prej kohësh në disa zona të Tiranës.

Në pranga ranë shtetasit, Ilir Zyberi, 55 vjeç, i dënuar më parë për vrasje. Artur Brahimaj, 63 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe mashtrim dhe Artur Rushiti, 46 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.

I arrestuari Ilir Zyberi njihet edhe si “i forti” i Yzberishtit dhe është vëllai i Xubit të Yzberishtit, i cili humbi jetën në vitin 2021 pas një aksidenti me motor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos