Gazetari Flamur Vezaj tha në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN se kur kanë mbetur edhe pak javë nga përfundimi i mandatit të Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme, kanë nisur lobingjet për zgjedhjen e drejtuesit të ri.
“Unë mendoj që personazhet të cilët janë më shumë të meritueshëm për këtë pozicion janë prokurorët Adnan Xholi dhe Doloresa Musabelliu”, tha Vezaj. “Se çfarë do ndodhë në KLP, për shkak se kanë filluar edhe atje lobingjet, njohjet, favorizimet... Unë nuk kam asgjë personale qoftë me prokurorin Klodi Braho apo me Elvin Gogajn, por mos harroni që Klodian Braho është personazhi i cili në veting ja ka nxjerrë shërbimit sekret, DSI-ja, i nxori problemet sepse kishte udhëtuar me persona me precedentë penal. Nuk po themi që është një nga arsyet për mos të marrë detyrën në krye të SPAK-ut, por mendoj që zoti Xholi është më institucionalist”.
I pyetur nga moderatorja Bruna Çifligu se kush po ndërhyn, Vezaj u përgjigj: “Edhe njerëz të politikës, edhe të bizneseve të ndryshme. Sepse drejtuesi i SPAK-ut, duke u personalizuar aq shumë me zotin Dumani, njerëzit mendojnë që drejtuesi i SPAK-ut ka shumë gjëra në dorë. Por prokurorët ende nuk e kanë kuptuar që janë të pavarur dhe për çdo gjë shkojnë dhe këshillohen me prokurorin, me drejtuesin e prokurorisë. Njerëzit janë të bindur sepse është njeri i fuqishëm, është njeri që mund të shkatërrojë dhe të ndërtojë jetë të ndryshme të personave të ndryshëm. Dhe për këtë fakt kanë filluar edhe lobingjet brenda KLP-së, qoftë nga politika e majtë apo e djathtë. Kanë filluar lobingjet edhe nga bizneset e ndryshme duke favorizuar personazh të caktuar. Kanë filluar edhe lobingjet edhe nga vetë zoti Dumani për të pretenduar ose për të lënë zëvendësin e tij të besuar në një farë mënyre”.
Vezaj shtoi se ndonëse në procesin që përfundoi me emërimin e Altin Dumanit në krye të SPAK, pati një interesim të madh të ambasadores amerikane Yuri Kim, këtë herë nuk ka ndërhyrje nga diplomatët e huaj.
“Në atë kohë, pjesëmarrja e ambasadores në zgjedhjen ose në prezantimin e kandidatëve pranë KLP-së u pa dhe si një presion që po ushtrohej ndaj anëtarëve të KLP-së për të zgjedhur personin e duhur, i cili pas u zgjodh zoti Dumani. Sepse se në atë kohë, mos harrojmë që kishte informacione dhe kishte ankesa nga anëtarët e KLP-së të cilët ishin shantazhuar në një farë mënyre nga politikanë të caktuar të së majtas për të mbështetur një kandidat specifik”.
“Këtë herë nuk ka një emër specifik se për cilin kandidat ata mbështesin apo lobojnë. Të gjitha këto janë informacione që qarkullojnë për efekt të fushatave dhe lobingjeve. Ambasada amerikane, nga informacionet që kam, nuk ka asnjë preferencë të caktuar ndaj prokurorit specifik, thjesht duan që të respektohet procedura”, shtoi Vezaj. (A2 Televizion)