Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë "arrest në burg" të dhënë në mungesë ndaj Amar Shkëmbit, i ekstraduar nga Dubai dy ditë më parë. Shkëmbi akuzohet nga SPAK si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, 1 nëntorin e vitit 2019 pranë rrethrrotullimit të Shkozetit.
Ai do të qëndrojë në paraburgim si i akuzuar për "vrasje të funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “vrasja në rrethana cilësuese”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municioni", “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se 41-vjeçari u arrestua në Dubai më 23 shkurt të vitit 2023, ndërsa ekstradimi i tij u bë pas kërkesës së autoriteteve shqiptare. Shkëmbi njihet si anëtar i grupit kriminal të Plaurent Dervishajt dhe është person i njohur për drejtësinë shqiptare.
Në vitin 2022, GJKKO caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra penale, mes të cilave edhe përfshirja në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja.
Sipas hetimeve, Amar (Dritan) Shkëmbi dyshohet se ka qenë një nga tre personat në automjetin që hapi zjarr ndaj makinës ku udhëtonin ish-prokurori Arjan Ndoja, shoferi Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (i njohur si Rrumi i Shijakut), më 1 nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit, në aksin Tiranë–Durrës. Nga atentati mbeti i vrarë shoferi Maloku, ndërsa Ndoja dhe Laho u plagosën. (A2 Televizion)