Një mega-operacion antidrogë u zhvillua 2 ditë më parë në Shqipëri dhe në Itali, ku u dhanë masa sigurie për 52 persona.
Masë sigurie në kuadër të operacionit ‘Ura’ u dha edhe ndaj avokatit Armand Tragaj në Durrës, me akuzën e ndikimit të paligjshëm në 4 raste. Tragaj ka qenë ish-sekretar i Këshillit Bashkiak në Durrës.
Ndërkohë ditën e sotme, avokati Tragaj ka folur para Gjykatës së Posaçme, ku edhe ka kërkuar shfuqizimin e kësaj mase, shkruan A2 CNN.
Kërkesa e tij u bë me argumentin se vijimi i masës së sigurisë do të rëndonte situatën e tij familjare.
“Jam i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatën time familjare, ku unë jam me dy prindër të smurë, njerkën të paralizuar, vëllain në psikiatri dhe bashkëshorten me fëmijën e vogël. Dhe për këtë fakt kërkoj të jem pranë familjes”, ka thënë avokati Tragaj para GJKKO-së, ku u zhvillua seanca për rikonfirmimin e masave të sigurisë për anëtarët e këtij grupi kriminal. (A2 Televizion)