Ish-zv.drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima është kthyer pranë familjes.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, përmes një njoftimi zyrtar. Ai u denoncua i zhdukur nga familjarët pasditen e së mërkurës.
Në njoftimin për mediat, Policia bën të ditur se Shima është paraqitur në komisariatin nr.1 në kryeqytet dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij, përcjell A2 CNN.
Po ashtu mësohet se gjatë deklarimeve që Shima ka dhënë pas rikthimit ka pohuar se ishte larguar në jug të vendit, pas një sherri që kishte pasur me të dashurën e tij, por pa dhënë shpjegime lidhur me mesazhin e dhënë familjes se po e arrestonte policia.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë -Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases M. Sh, për humbjen e kontakteve me djalin e tij, shtetasin D. Sh., 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth ores 02:00, ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policise Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)