“U transportua i vetëdijshëm në spital”, Policia zbardh detaje mbi italianin e dhunuar në Tiranë

Nga A2 CNN
1 Gusht 2026, 17:55 | Kronikë

“U transportua i vetëdijshëm në spital”, Policia

Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me një video të publikuar, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë.

Sipas “bluve” ngjarja ka ndodhur pas Pallatit të Kulturës dhe shtetasi italian, i dëmtuar lehtë, është ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, për t’u transportuar më pas për ndihmë mjekësore.

Sipas mjekëve ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë. Ky shtetas dhe dy persona të tjerë që e shoqëronin nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim në lidhjen me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar.

 

NJOFTIMI

Në lidhje me një video të publikuar, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë, sqarojmë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, më datë 29.07.2026, në zonën pas Pallatit të Kulturës, dhe është trajtuar menjëherë nga Policia për veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje".

Konkretisht, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative për një konflikt, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin italian G. M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore. Në vendngjarje ndodheshin edhe dy shokët e tij, të cilët e shoqëronin. Shtetasi italian ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët ndodheshin në afërsi.

Më pas, shtetasi është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas deklarimeve të personelit mjekësor dhe këqyrjes së kartelës mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin mjekësor për largimin e tij.

Gjithashtu ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallzim në lidhjen me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar. Edhe dy shtetasit që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e konfliktit.

Pavarësisht mungesës së kallëzimit nga shtetasi italian, grupi hetimor ka vijuar veprimet hetimore, duke këqyrur pamjet filmike, nga të cilat ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos