Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Arben Lamçen, i dyshuar nga SPAK, si personi që në dy raste siguroi kushte për vrasjen e Nuredin Dumanit, aktualisht i penduar i drejtësisë.
50-vjeçari Lamçja doli para Gjykatës së Posaçme pak ditë pasi u ekstradua nga Kosova, vend ku u arrestua më 4 gusht të këtij viti, për llogari të hesapeve të tij me drejtësinë shqiptare, raporton A2 CNN.
Lamçja është kontakt i afërt i vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja, drejtuesit e një organizatë kriminale, që sipas SPAK, është përgjegjëse për disa ngjarje kriminale të ndodhura në harkun kohor 2018-2020, mes të cilave masakra e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk.
Referuar hetimit, me porosi të Hadar dhe Franc Çopjes, në dy raste Lamçja ka siguruar kushte dhe mjete materiale për ekzekutimin e Nuredin Dumanit, ngjarje që ishte planifikuar të kryhej në periudhën kohore korrik-tetor 2020, shkruan A2 CNN.
Përveç kësaj akuzë, teksa do të qëndrojë në paraburgim, Lamçja do të hetohet edhe për akuzën e “pastrimit të parave”, pas dyshimeve se kishte nën zotërimin e tij disa pasuri të patundshme, që për pronarë de fakto kishin vëllezërit Çopja. /A2CNN. (A2 Televizion)