Vatra të shumta zjarri në afërsi të Kapshticës, digjen sipërfaqe të mëdha me bimësi e kullota

Nga A2 CNN
21 Korrik 2025, 07:56 | Kronikë

Vatra të shumta zjarri në afërsi të Kapshticës, digjen

Vatra të shumta zjarri janë aktivizuar në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës duke djegur sipërfaqe të mëdha me bimësi të ulët dhe kullota.

Zjarri fillimisht ka rënë në afërsi të fshatit Vërnik, duke rrezikuar e banesat e këtij fshati dhe vetëm ndërhyrja e forcave të shërbimit zjarrfikës ka bërë të mundur izolimin e flakëve, shkruan A2 CNN.

Me vonë, të favorizuar edhe nga temperaturat e larta, zjarri është përhapur në një sipërfaqe që shkon në disa hektarë duke rrezikuar të përhapet edhe më tej, pasi terreni i thyer malor e bën pothuajse të pamundur ndërhyrjen e mjeteve të shërbimit zjarrfikës.

Sipas nënprefektit të Devollit Henrik Rusi, në terren janë duke punuar me shumë se 50 forca të shërbimit zjarrfikës të bashkisë Korçë, Devoll e Maliq, ndërkohë që priten dhe forca të tjera të shërbimit pyjor dhe emergjencave civile.

Nënprefektit i Devollit ka bërë me dije se nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes nga ajri, ashtu siç tha se ka patur kontakte edhe me autoritetet greke, pasi zjarri rrezikon të kalojë dhe në anën tjetër të kufirit.

Kjo është vatra e dytë e shfaqur gjatë orëve të fundit në juglindje të vendit, pasi një vatër tjetër aktive është mbi fshatin Dishnicë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos