Dy turistë të huaj që po lundronin me një velierë, e cila pësoi defekt, në det të hapur përballë Gjirit të Gramës janë shpëtuar nga Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare e Vlorës.
Sipas policisë mjeti lundrues pësoi defekt në motor dhe mbeti në mes të detit, i ekspozuar ndaj dallgëve të rrezikshme.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë sqaron se kanë vepruar duke organizuar një operacion shpëtimi pasi morën një njoftim urgjent për dy shtetas të huaj në vështirësi, rreth 5 milje larg bregut.
Njësitë lundruese të Policisë Kufitare u nisën drejt koordinatave të dhëna, ndërsa njëkohësisht patrulla kufitare tokësore monitoroi situatën nga bregu. Pas disa orësh përpjekjesh dhe në kushte detare të vështira, u bë e mundur lokalizimi dhe ndihma për velierën në bashkëpunim me ekuipazhin e Rojës Bregdetare.
Veliera u shoqërua në mënyrë të sigurt drejt Gjirit të Porto Palermos, ndërsa dy shtetasit e huaj ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Sakaq, autoritetet bregdetare u bëjnë thirrje të gjithë lundruesve që të marrin masa paraprake sigurie dhe të njoftojnë menjëherë në rast emergjence. (A2 Televizion)