A2 CNN ka siguruar videon nga momenti i atentatit të ndodhur pas mesnatës së të hënës në rrugën “Xhanfize Keko”, ku mbeti i vrarë 28-vjeçari Klaudio Prendi.
Djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi kishte dalë nga një lokal i zonës dhe sapo kishte hipur në automjetin e tij tip “Mercedez Benz G-Class”, në momentin kur autorët i afrohen paralel me një mjet tip “Audi” me ngjyrë të bardhë dhe zbrazin breshëri plumbash në drejtim të tij.
E gjithë skena e atentatit zgjati jo më shumë se 7 sekonda, nga momenti që makina e autorëve ndalon pranë asaj të Prendit dhe deri tek ekzekutimi i tij.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Prendi u ekzekutua me pistoletë me silenciator, armë e cila u gjet e shkrumbuar plotësisht ditën e sotme, brenda makinës “Audi A4” me targa greke, që u dogj në zonën e Farkës.
Policia sakaq po heton mbi disa pista, përfshi edhe ato që lidhen me profesionin e të atit, ish-gjyqtarit Fran Prendi, i cili deri në vitin 2020 ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe ka gjykuar çështje të rëndësishme të krimit të organizuar. (A2 Televizion)