Vetëplagoset me armë zjarri 35-vjeçari në Vlorë, në gjendje kritike për jetën

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 08:16 | Kronikë

Vetëplagoset me armë zjarri 35-vjeçari në Vlorë,

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 04:10 të mëngjesit në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, ku një 35-vjeçar dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri në apartamentin e tij.

A2 CNN mëson se bëhet fjalë për shtetasin Arnaldo Matodashaj, i cili dyshohet se po luante me një armë tip pistoletë “Glock”, kur arma është shkrepur aksidentalisht, duke e plagosur rëndë në kokë.

Menjëherë pas ngjarjes, Matodashaj ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar arma e zjarrit si provë materiale, ndërkohë që grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia nuk përjashton as pista të tjera, për shkak se rrethanat e vetëplagosjes mbeten ende të paqarta.

Arnaldo Matodashaj është një emër i njohur për autoritetet, pasi në korrik të vitit 2023 është arrestuar bashkë me një shokun e tij teksa lëvizte i armatosur pa leje.

Hetimet vazhdojnë për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një aksident apo ndonjë rrethanë tjetër të fshehur pas ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos