Një sasi e konsiderueshme prej mbi 160 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga Guardia di Finanza italiane gjatë një operacioni në një zonë industriale të provincës së Bergamos, ndërsa dy shqiptarë kanë përfunduar në pranga.
Sipas mediave italiane, droga ishte fshehur në shtatë çanta të mëdha dhe po transportohej me një automjet të tonazhit të rëndë gati për t’u hedhur në tregun lokal, me një vlerë të përllogaritur rreth 20 milionë euro.
Sipas autoriteteve, pas shërbimeve të posaçme të vëzhgimit dhe analizës së riskut në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, oficerët vunë re aktivitet të dyshimtë rreth një kamioni, me shoferin e mjetit të rëndë që hipte në rimorkio, ndërsa një makinë u ndal pranë kamionit. Sipas mediave italiane operacionet e kërkimit u nisën kur shtatë çanta të mëdha iu dorëzuan shoferit të makinës.
Gjatë momentit të dorëzimit të çantave me drogë, forcat e rendit ndërhynë dhe gjetën 150 pako me kokainë, me peshë totale mbi 160 kilogramë. Dy të dyshuarit shqiptarë u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Bergamos, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane. Identiteti i tyre ende nuk është bërë i ditur. (A2 Televizion)