
Dy punonjëse të Postës në Devoll janë proceduar penalisht pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës.
Paola Shaholli, 29 vjeç (me detyrë përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, Devoll) dhe Eda Çeliku, 27 vjeç (me detyrë arkëtare-llogaritare, në degën postare Devoll), të dyja banuese Bilisht, dyshohet se në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 - janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj.
"Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 - janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës, duke shpërdoruar detyrat. Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike (kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit), duke falsifikuar nënshkrimet e tyre, ndërsa shtetasja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidenca e librave të arkës dhe sistemit të menaxhimit të parave cash, për të favorizuar vjedhjen e fondeve nga 29-vjeçarja", lexohet në njoftimin e policisë. (A2 Televizion)