
Policia ka arrestuar një 29-vjeçar të akuzuar për disa vjedhje në zonën e Sukthit, raporton A2 CNN. Ai dyshohet se ka vjedhur 3 herë, shuma parash, bizhuteri dhe pajisje, në banesën e një shtetaseje italiane, në Fermë Sukth, si dhe në 5 banesa të tjera. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën një maskë dhe një palë doreza që dyshohet se i përdorte për të kryer vjedhjet dhe një pistoletë sportive që e mbante pa leje.
Në pranga ra shtetasi D.C., 29 vjeç, banues në Sukth. “Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka vjedhur 3 herë, gjatë periudhës dhjetor 2025-janar 2026, shuma parash, bizhuteri dhe pajisje të ndryshme, në banesën e një shtetaseje italiane, në Fermë Sukth. Gjithashtu, dyshohet se ka vjedhur në 5 banesa të tjera. Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, 29-vjeçarit iu gjetën një pistoletë sportive që e mbante pa leje, si dhe një maskë dhe një palë doreza të cilat dyshohet se i përdorte për të kryer vjedhjet”, tha policia.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, veprat penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. (A2 Televizion)