
SPAK ka përfunduar hetimet ndaj 10 personave të akuzuar për trafik të kokainës nga Amerika Latine duke e fshehur në lëkurët e gjedhëve. Prokurorët e SPAK kanë nisur t'ju komunikojnë akuzat të pandehurve.
A2 CNN raporton se të akuzuarit, tre prej të cilëve shtetas të huaj, dyshohet se e ekstraktonin kokainën e sjellë përmes lëkurëve të bagëtive në një laborator të sofistikuar në fshatin Qerek, Fushë Krujë.
Kontrollet e SPAK pas "goditjes" së grupit në Tiranë dhe Durrës identifikuan edhe ambiente ndihmëse.
Në bazë të hetimeve SPAK ka qenë në dijeni të lëvizjeve të grupit dhe i kanë lënë të lirë të veprojnë në 2 ngarkesat e fundit, në shtator dhe në nëntor, për të sjellë 48 ton lëkurë gjedhi, brenda të cilave dyshohet se kishte edhe kokainë.
Gjatë kontrolleve në laboratorin në Qerek në atë kohë u gjetën 850 lëkurë të bagëtish në të cilat dyshohet se ishte tretur dhe kokainë. (A2 Televizion)