
Dy të rinj që dyshohen se vodhën një biznes në fshatin Batër të Matit, u arrestuan nga policia, ndërsa një i tretë u shpallën në kërkim nga “blutë”, raporton A2CNN.
Gjatë operacionit u gjet dhe u sekuestrua një sasi malli e kallëzuar si e vjedhur, një automjet i përdorur në ngjarje, një aparat celular, një bajonetë metalike, një dorezë metalike, si dhe veshjet e autorëve që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, menjëherë pas njoftimit për një rast vjedhjeje në një biznes në fshatin Batër, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes dhe për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Falë reagimit të menjëhershëm, në kuadër të operacionit policor “Limiti”, u bë e mundur arrestimi i shtetasve: M.H., 30 vjeç; Y.P., 31 vjeç, banues në Burrel, si dhe u shpall në kërkim shtetasi K.N., 23 vjeç. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një sasi mallrash në një subjekt tregtar. Vijojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)