Katër në pranga për zjarrin, Rama: Pallati do rindërtohet nga ndërtuesi

Nga Igli Çelmeta
15 Prill 2026, 15:00 | Kronikë

Katër persona u arrestuan nga policia e Tiranës pas hetimeve paraprake për shkaqet e zjarrit që përfshiu pallatin 12-katësh pranë Farmacisë nr.10. Në pranga ra Agron Cara administrator i pallatit, Altin Furtuna kontraktor që ka bërë fasadën, Enver Ademi inxhinieri mbikëqyrës dhe Razie Sula menaxhere e marketit ku dyshohet se nisi fillimisht zjarri.

Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i  kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e  kompleksit. 

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.

Ngjarja shkaktoi dëme të mëdha materiale në godinë, ndërsa për fat të mirë nuk pati viktima. Në total nga verifikimet e para në terren nga ekspertët të paktën 30 apartamente janë djegur. Banorët që humbën shtëpinë, por edhe fqinjët ndajnë momentet dramatike që përjetuan.

Kryeministri Rama reagoi në rrjetet sociale duke i ftuar për qetësi dhe uruar shëndet të prekurve nga kjo fatkeqësi që siç pohoi ai do t’i dalë zot ndërtuesi. “Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Gjithsesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falënderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara”.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e plota për incidentin. Hetimet janë përqendruar te punimet dhe ndërhyrjet e kryera në ambientet e biznesit, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse janë respektuar standardet e sigurisë dhe procedurat teknike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos