Autori i vrasjes së 14-vjeçarit Erald Xhejo në fshatin Pirg të Maliqit, kishte shfaqur më herët sjellje kërcënuese ndaj viktimës, por edhe të afërmve të tij.
Sipas dosjes hetimore, i mituri dy ditë para krimit ishte parë në fshatin Zvirinë dhe përpara lokalit të xhaxhait të viktimës ka xhiruar gomat e makinës në mënyrë provokuese dhe është larguar menjëherë, një veprim që tashmë nga hetuesit shihet si pjesë e konfliktit të nisur më herët.
Ndërsa ditën e ngjarjes, viktima së bashku me një shok kishte shkuar për t’u qethur në berberhanen e fshatit Pirg, vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi krimi. Sipas hetimeve, ata kanë parë autorin duke kaluar me automjet dhe i kanë fishkëllyer, me qëllimin për t’u sqaruar për një konflikt të mëparshëm.
Në atë moment, autori ka ndaluar makinën, ka zbritur dhe ka nisur të debatojë me 14-vjeçarin. Debati ka degjeneruar shpejt në përplasje fizike, ku autori 14 vjeçar ka nxjerrë thikën nga xhepi.
Erald Xhejo sapo ka parë mjetin prerës ka tentuar të vetëmbrohej, duke marrë një karrige nga oborri i lokalit dhe duke e vendosur përpara trupit. Por në përpjekje për t’u tërhequr mbrapa, është penguar, dhe në atë çast është goditur me thikë nga autori, duke marrë plagë fatale që i morën jetën.
Për krimin e rëndë Policia e Korçës arrestoi 8 persona, mes tyre autorin 14 vjeçar, si dhe babai dhe xhaxhain e tij, Edison dhe Roland Guri, të cilët kanë tentuar ta fshehin krimin dhe thikën e përdorur në vrasje. (A2 Televizion)